Shqipëria është një destinacion turistik mjaft i ri. Falë mjedisit mbresëlënës natyror dhe një shumëllojshmërie atraksionesh, Shqipëria ofron mundësi për lloje shumë të ndryshme turizmi përfshi këtu ture kulturore dhe natyrore, hiking, biking, rafting dhe shumë veprimtari të tjera në kuadrin e turizmit rural, turizmit sportiv dhe aventuror, turizmit natyror, turizmit bregdetar, etj. Kjo pasuri mundësish, kombinuar me shumëllojshmërinë por dhe afërsinë mbresëlënëse gjeografike të peisazheve të ndryshme dhe me klimën e butë të moderuar krijon mundësi të bollshme për një përzierje të pasur dhe të shumëllojshme të produktit. Megjithatë, ofertat, paketat apo itineraret turistike ekzistuese shpesh kanë nevojë për mjaft përmirësim për t’u konsideruar si autentike/unike apo si të bazuara në traditë dhe vlera specifike (sipas çdo destinacioni). Këto duhet të diversifikohen me qëllim menaxhimin e sfidave të sezonalitetit dhe tërheqjen e turistëve në periudha të ndryshme të vitit si dhe me qëllim mbajtjen e turistëve për periudha më të gjata në këto destinacione. Sipas intervistave me operatorët turistikë, gjatësia e qëndrimit në këtë mënyrë do të rritej nga e tanishmja prej gjysmë dite në 2.7 netë, me shpresë, deri në 3-5 ditë ose më gjatë.